LIGJ

Nr.8313, datë 26.3.1998

 

PËR TATIMIN MBI BIZNESIN E VOGËL

 

Në mbështetje të neneve 13 dhe 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave

 

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

V E N D O S I:

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Subjektet e tatimit të biznesit të vogël

 

Subjekt i tatimit mbi biznesin e vogël është çdo person që kryen biznes në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë çfarëdo periudhe të vitit kalendarik dhe që nuk i nënshtrohet tatimit mbi vlerën e shtuar.

Objekt i tatimit mbi biznesin e vogël është xhiroja (në lekë) e realizuar në çdo vend biznesi për një vit kalendarik.

Tatimi mbi biznesin e vogël nënkupton tatimin me kuotë fikse, të llogaritur sipas tabelës përkatëse të kreut II, plus tatimin mbi xhiron të llogaritur sipas dispozitave të kreut III të këtij ligji.

 

Neni 2

Përkufizime

 

a) Termi “Person” nënkupton çdo person fizik ose juridik, shtetëror ose privat, shqiptar ose i huaj që kryen veprimtari biznesi.

b) Termi “Tatimpagues” nënkupton çdo person që i nënshtrohet tatimit sipas këtij ligji.

c) Termi “Tatim” nënkupton tatimin mbi biznesin e vogël të përcaktuar nga ky ligj. Ai përbëhet nga tatimi me kuotë fikse dhe tatimi mbi xhiron.

ç) Termi “Tatim me kuotë fikse” nënkupton tatimin e përcaktuar nga kreu II.

d) Termi “Tatim mbi xhiron” nënkupton tatimin e përcaktuar nga kreu III.

dh) Termi “Biznes” nënkupton çdo veprimtari ekonomike të kryer për qëllime fitimi.

e) Termi “Xhiro” nënkupton të ardhurat në lekë të arkëtuara nga shitja e mallrave apo shërbimeve të kryera për çdo vend biznesi. Xhiroja llogaritet në bazë të çmimit gjithsej që paguan blerësi për mallrat apo shërbimet që blen.

ë) Termi “Vend biznesi” nënkupton çdo dyqan, njësi të veçantë ose vend tjetër fiks ku ushtrohet biznes.

f) Termi “Udhëzim” nënkupton udhëzimin e lëshuar nga ministri i Financave në zbatim të këtij ligji.

 

KREU II

TATIMI ME KUOTË FIKSE

 

Neni 3

 

Subjekte të tatimit me kuotë fikse janë ato subjekte që realizojnë një qarkullim deri në shumën 2 000 000 lekë në vit.

 

1. Tatimi me kuotë fikse (në mijë lekë në vit)

 

Q y t e t

 

Lloji i biznesit                           Kategoria I       Kategoria II      Kategoria III

A. Tregti me pakicë

1. Tregti në njësi e dyqane        50                     40                     30

2. Dyqane mode (boutique)

e parfumeri                              80                     70                     60

3. Dyqane bizhuterie,argjendarie

e floriri                                                100                   80                     70

 

B. Tregti me shumicë

1. Tregtim i artikujve të ndryshëm

me shumicë                              80                     70                     60

 

C. Prodhimi

1. Duralumini, druri, tapiceri,

brumi, bulmet, ëmbëlsirë

e të tjera të ngjashme me to      70                     60                     50

 

Ç. Riparime

1. Riparim artikujsh elektroshtëpiakë,

radio, televizorë e të tjera të

ngjashme me to                                    40                     30                     20

 

D.Shërbime

1.Fotografim-zhvillim-stampim,

fotokopjim, shtypshkrime,

sallone bukurie, restorant,

hotel, motel, disko, bar bufe,

autoshkolla, autoservise, parking

makinash, agjenci të ndryshme,

kurse kompjuteri, salla lojrash e

     të tjera të ngjashme me to    70                     60                     50

2.  Bar bufe në dikasteret dhe

    institucionet shtetërore          50                     40                     30

3. Bilardo (për një tavolinë)      36                     30                     30

 

Dh. Profesione

1.Noter, avokat                                    80                     70                     60

2. Stomatolog, mjek-laborant,

     inxhinier, arkitekt, projektues,

     ekonomist, farmacist, veteriner,

     mësues, agronom e profesione

     të tjera                                60                     50                     40

 

E.Ambulant, artizanat

1.Tregtim e shërbim ambulator 25                     20                     15

2.Artizanë të vegjël si: bojaxhi,

hidraulik, elektricist, llustraxhi,

këpucar, marangoz, rrobaqepës,

 pemëtar, berber,zetorist,

kombanier, llamarinist,

 laborant, murator, teneqepunues,

  riparim biçikletash e të tjera

  të ngjashme me to                   25                     20                     15

 

Ë.  Transport

Për transportin e udhëtarëve:

- Automjete deri në 5 vende, duke përfshirë edhe shoferin, 30 mijë lekë në vit.

- Automjete nga 6-9 vende, duke përfshirë edhe shoferin, 60 mijë lekë në vit.

- Automjete nga 10-25 vende, 80 mijë lekë në vit.

- Automjete nga 26-42 vende, 85 mijë lekë në vit.

- Automjete mbi 42 vende, 90 mijë lekë në vit.

 

Për transportin e mallrave:

- Automjete deri në 2 tonë, 50 mijë lekë në vit.

- Automjete nga 2,1-5 tonë, 75 mijë lekë në vit.

- Automjete nga 5,1-10 tonë, 90 mijë lekë në vit.

- Automjete nga 10,1-16 tonë, 95 mijë lekë në vit.

- Automjete mbi 16 tonë, 100 mijë lekë në vit.

Për transportin ujor :

- Transporti detar i brendshëm, 100 mijë lekë në vit.

- Transport ujor në liqene, 90 mijë lekë në vit.

- Varka në shërbim të pushuesve, 25 mijë lekë në vit.

2. Ndarja e qyteteve sipas kategorive

Në kategorinë I :  Tirana dhe Durrësi.

Në kategorinë II : Shkodra, Korça, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Elbasani, Fieri,      Lushnja, Pogradeci, Berati dhe Kavaja.

Në kategorinë III : Të gjitha qytetet e tjera.

3. Kur veprimtaritë që përfshihen në pikat A, B, C, Ç, D, DH, E ushtrohen në fshat, kuotat fikse të tatimit janë sa gjysma e kuotave përkatëse në tabelë.

4. Kur veprimtaria e biznesit fillon në një muaj çfarëdo të vitit, atëherë masa e tatimit vjetor llogaritet duke shumëzuar kuotën fikse të tatimit në tabelë me raportin (thyesën) që si numërues ka numrin e muajve të mbetur të vitit (përfshirë muajin e regjistrimit), kurse si emërues ka numrin 12 të muajve të vitit. Kjo mënyrë llogaritjeje përdoret edhe në rastet e ndërprerjes së përkohshme ose mbylljes së veprimtarisë.

 

Neni 4

Regjistrimi dhe detyrimet ndaj tij

 

l. Çdo person që kërkon të fillojë një biznes, duhet të regjistrohet në zyrën e tatimeve të rrethit ku ai e ushtron veprimtarinë e tij.

2. Personi që regjistrohet duhet të plotësojë deklaratën përkatëse me këto të dhëna :

a) Emri e mbiemri (sipas dokumentit identifikues)

b) Vendimi i gjykatës që i njeh zotësinë tatimpaguesit për të ushtruar biznes;

c) Lloji ose llojet e biznesit që do të ushtrojë

ç) Adresa e vendit a vendeve të biznesit

d) Xhiro e realizuar gjatë vitit të mëparshëm

dh) Xhiro e parashikuar për vitin në vijim

e) Informacione të tjera mbi biznesin që i kërkohen sipas udhëzimit të ministrit të Financave.

3. Organet tatimore pajisin me “Çertifikatë regjistrimi” çdo person të regjistruar. Përmbajtja e saj përcaktohet në udhëzim.

4. Personi që ushtron në vijimësi biznes, duke qenë subjekt i tatimit, është i detyruar të riregjistrohet me fillimin e vitit kalendarik, brenda muajit shkurt të çdo viti.

5. Kur një person ushtron biznes në dy ose më shumë vende biznesi, ai do të pajiset për secilin vend biznesi me çertifikatë regjistrimi, ku të evidentohet lloji i biznesit. Personi i regjistruar do të ketë të njëjtin kod tatimor për të gjitha vendet e biznesit të tij.

6. Kur tatimpaguesi nuk ushtron biznes në një vend fiks, atëherë:

a) në rastin e një personi fizik, regjistrimi bëhet në zyrën e tatimeve të rrethit ku banon;

b) në rastin e një personi juridik, regjistrimi bëhet në zyrën e tatimeve të rrethit ku banon pronari kryesor.

7. Kur tatimpaguesi nuk ushtron biznes në një vend fiks (ambulant) ose merret me shërbime transporti, ai lejohet ta ndërpresë përkohësisht dy herë në vit veprimtarinë e tij për shkaqe të përcaktuara në udhëzim për periudha jo më pak se 30 ditë.

8. Tatimpaguesi është i detyruar të informojë zyrën e tatimeve me shkrim brenda 15 ditëve për çdo ndryshim të mundshëm që lidhet me deklarimet e tij të dhëna për regjistrim si emri, adresa, vendi i biznesit etj.

9. Tatimpaguesi duhet ta ekspozojë çertifikatën e regjistrimit të dhënë nga organi tatimor në një vend të dukshëm, ku ai ushtron biznes. Në rast se tatimpaguesi ushtron biznes në dy a më shumë vende, ai duhet të ekspozojë në secilin vend biznesi çertifikatën e regjistrimit.

 

KREU III

Tatimi mbi XHIRON

 

Neni 5

Tarifa e tatimit

 

Tatimi mbi xhiron është 4 për qind e xhiros për tatimpaguesit që realizojnë shumën nga 2 deri në 5 milionë lekë për çdo vit kalendarik.

 

Neni 6

Deklarimi

 

Deklarimi me shkrim i xhiros nga tatimpaguesi për shumën nga 2 deri në 5 milionë lekë në vit bëhet deri në 28 shkurt të vitit pasardhës.

 

KREU IV

Regjistrimi i veprimeve dhe pagesat

 

Neni 7

Regjistrimet, përdorimi i arkave regjistruese

 

l. Tatimpaguesi duhet të mbajë një libër të sekretuar, ku të regjistrojë xhiron ditore.

2. Tatimpaguesi i pajisur me kasë regjistruese duhet t’u japë blerësve kuponat e kasës regjistruese për çdo veprim.

3. Tatimpaguesi detyrohet t’u paraqesë organeve tatimore dokumentet përkatëse të veprimtarisë, sipas kërkesave të këtyre të fundit.

4. Tatimpaguesi detyrohet në çdo rast ta afishojë çmimin përfundimtar të mallit që tregton, ose të shërbimit që ai kryen.

5. Tatimpaguesi duhet të lejojë hyrjen e inspektorëve tatimorë në mjediset e biznesit për qëllime kontrolli.

 

Neni 8

Pagesa

 

l. Çdo njësi a dyqan ku ushtrohet biznes tatohet më vete. Tatimi me kuotë fikse paguhet në dy këste.

Në rast riregjistrimi, pagesa e këstit të parë bëhet me marrjen e çertifikatës së regjistrimit deri në 28 shkurt dhe pagesa e këstit të dytë deri në 30 qershor. Për subjektet që çelin veprimtari në çfarëdo periudhë të vitit, kësti i parë, sipas tabelës, paguhet me regjistrimin (fillimin e veprimtarisë), kurse kësti i dytë deri në 15 dhjetor.

2. Kur tatimpaguesi e paguan tatimin me kuotë fikse njëherazi me marrjen e çertifikatës, atëherë atij i bëhet zbritje e tatimit në masën 10 për qind.

3. Kur gjatë shqyrtimit të të dhënave shuma e tatimit në tabelë del më e lartë se kuota e derdhur paraprakisht, atëherë tatimpaguesi është i detyruar të paguajë diferencën.

4. Tatimi mbi xhiron në masën 4 për qind paguhet vetëm një herë në vit, deri në 25 dhjetor të atij viti.

5. Të dy tatimet paguhen në formën, mënyrën dhe vendin e përcaktuar në udhëzim.

6. Të dy tatimet paguhen për buxhetin e shtetit.

 

Neni 9

Përgjegjësia dhe shkeljet

 

1. Përbëjnë kundërvajtje administrative këto shkelje:

a) Mosregjistrimi sipas kërkesave të përcaktuara në kreun II;

b) mosplotësimi i deklaratës siç është përcaktuar në kreun III;

c) mosnjoftimi i organeve tatimore për ndryshime në emrin, adresën, vendin dhe llojin e biznesit etj.;

ç) mospagimi i tatimit në afatet e caktuara;

d) mosekspozimi i çertifikatës së regjistrimit sipas nenit 4, pika 9;

dh) mosparaqitja e çertifikatës së regjistrimit nga tatimpaguesit ambulantë, kur ajo kërkohet nga organi tatimor;

e) mosrespektimi i kërkesave të përcaktuara në nenin 7;

ë) mosafishimi i çmimeve përfundimtare të mallrave dhe shërbimeve;

f) pengimi ose mosdhënia e ndihmës inspektorëve tatimorë për kryerjen e kontrollit në mjediset e biznesit.

2. Shkeljet e përsëritura, të parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç” të pikës 1 të këtij neni, përbëjnë vepër penale dhe ndëshkohen sipas Kodit Penal.

Shkeljet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 gjobiten me një shumë jo më të vogël se 50 mijë lekë dhe jo më të madhe se 100 mijë lekë.

Shkeljet e parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç” të pikës 1 gjobiten me një shumë jo më të vogël se 20 mijë lekë dhe jo më të madhe se 50 mijë lekë.

Shkeljet e parashikuara në shkronjat “d”, “dh”, “e”, “ë” dhe “f” gjobiten me një shumë jo më të vogël se 10 mijë lekë dhe jo më të madhe se 20 mijë lekë.

3. Në të gjitha rastet, pavarësisht nga gjoba, tatimi përkatës paguhet i plotë.

4. Gjoba duhet të paguhet brenda 30 ditëve nga dita kur zyra e tatimeve ka lëshuar njoftimin e shkeljes. Në të kundërtën, organi tatimor duhet të veprojë për bllokimin e menjëhershëm të veprimtarisë dhe sekuestrimin e saj.

 

Neni 10

 

Ligji nr.7679, datë 3.3.1993 “Për tatimin mbi biznesin e vogël”, shfuqizohet.

 

Neni 11

 

Ky ligj hyn në fuqi ditën e shpalljes nga Presidenti i Republikës.

 

Shpallur me dekretin nr.2031, datë 1.4.1998 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani